Riti i vendosjes së verores lidhet me një festë shumë të lashtë, me festën e Ditës së Verës. Kjo festë lidhet me nderimin për natyrën dhe bimësinë që fillon merr jetë në këtë kohë. Komuniteti ortodoks e feston më 1 Mars, sipas kalendarit Julian, ndërsa ai mysliman e feston më 14 Mars. Kjo festë lidhet me fillimin e pranverës dhe me dëshirën për një jetë të mbushur me gëzim, dashuri e begati, pas kalimit të dimrit. Festimet fillojnë mbrëmjen e fundit të shkurtit me ndezjen e zjarreve. Zjarret kapërcehen nga të gjithë pjesëmarrësit dhe shoqërohen me disa shprehje që ndryshojnë sipas krahinave. Në këtë ditë vendoset dhe verorja, e cila simbolizon shpresat për mbarësi dhe begati.
Verorja është një byzylyk i përbërë nga dy fije peri. Proçesi i realizimit të verores është shumë i thjeshtë:
Merren dy fije, njëra me ngjyrë të kuqe dhe tjetra në ngjyrë të bardhë.
Të dy fijet priten në të njëjtën gjatësi, 30-35 cm. Këto fije gjatësore bashkohen dhe në njërin skaj lidhet kotkë dhe futet një rruazë. Kurse në anën tjetër të dy fijet ndahen. Pasi përdridhet secili pe më vete, bashkohet dhe skaji tjetër dhe lidhet përsëri kotkë.Vendoset edhe në këtë anë një rruazë. Më pas lëshohet peri dhe të dy fijet përdridhen pas njëra-tjetrës. Me këtë fije bëhen byzylykë ose edhe unaza. Zakonisht verorja vendoset në dorë, kurse fëmijëve ju vendosnin edhe në këmbë, me qellim që të kenë mbarësi dhe të mos rrëzohen.
Në momentin kur lidhet verorja, zakonisht thuhet: “…(emri i fëmijës) kaloftë, kurse … (dikush që nuk e duam) u pengoftë!” P.sh. “Doneli kaloftë, Beni u pengoftë!”
Komuniteti ortodoks e vendos veroren një ditë para Ditës së Verës (natën para 1 Marsit), dhe e heq në datën 25 Mars (Ditën e Vangjelizmo-it), disa persona të tjerë besojnë se duhet hequr kur ai person sheh dallëndyshen e parë.
Komuniteti mysliman përdor fijet e perit të bardhë dhe të kuqe, të formuar në të njëjtën mënyrë, por e vendos një natë para 14 Marsit, dhe e heq në datën 25 Mars.
Komuniteti bektashian veroren e formon me dy penj me ngjyrat: të bardhë dhe jeshile. Heqja e verores bëhet në datën 22 Mars. Veroret pasi hiqen, varen në një pemë, ose në trëndafila nga ku besohet se dallëndyshet do të vijnë dhe do ti marrin.