Sazet e Korçës ishin dhe janë formacion i spikatur orkestral me instrumente klasike dhe tradicionale, në shërbim të jetës muzikore e artistike, në shumë evente shoqërore.
Sazet e Korçës e kanë filluar aktivitetin nga fillimet e shekullit XIX dhe vazhdojnë traditën e performancës së tyre deri sot, duke shkëmbyer e përsosur përvoja të spikatura muzikore. Në këtë formacion, fillimisht ka qenë gërneta ose klarineta, violina, daireja dhe llahuta, më pas u kompletuan me fyell, bakllama, fizarmonikë, llahutë shoqërimi ose melodike, madje me një apo dy këngëtarë që ishin brenda grupit ose të ftuar. Sazet më të përmendura kanë qenë “Demka dhe Hajro”, “Ciloja me shokët”, “Vllezërit Muzikanti”, “Llaqi me shokët”, ku spikasnin muziktarët Hajro, Bido, Sherif Cobani, Sulejman Bakllamaja, këngëtarja Qerime Bakiu.
Sazet jane emërtuar nga solisti-korifé-gërnetaxhi, si sazet e Lulushit, Zhani Strugës, Aleks Xhelilit, Telando Fetes, Nexhildo Sulës, etj. Në përbërje të sazeve, melodinë e përfaqëson gërneta, në bashkëpunim me violinën, ndërsa llahutat ekspozojnë shoqërimin harmonik, daireja mban elementin ritmik, kontrabasi ose kitara bass përfaqësojnë bass-in e akordeve dhe, në raste të veçanta si avazi, luan solo bakllamaja apo fyelli me të qarën, ndërsa fizarmonika herë mbështet me harmoni, ose ndihmon melodinë e valles, kabasë, të qarës, etj.
Repertori i Sazeve të Korçës bazohet kryesisht në materialet muzikore të qarkut të Korçës, por edhe materiale nga Shqipëria e Mesme dhe Veriu, po gjithashtu dhe të vendeve kufitare si: Greqi – Maqedoni e Veriut, apo edhe muzikë tradicionale të identiteteve të tjera etno-kulturore (rome, egjiptiane, vllehe, etj.)