Këngët e Serenatës Korçare janë simbol i qytetit të Korçës, ”shpirti” dhe “zemra” e tij.
Fillesat e kësaj dukurie datojnë para një shekulli e gjysëm, diku rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimisht ishin përshtatje ose imitime të serenatave të huaja, kryesisht nga Qefalonia e Greqisë, Italia, Spanja, apo edhe deri tek Argjentina e largët. Ato u përshtatën dhe u pasuruan gjatë praktikimit nga artistët korçarë.
Serenata është në vetvete shprehja e një ndjenje përmes këngës, por jo vetëm. Atë, herë pas here e shohim në formën e një spektakli, një mizanskene ku djali i këndon vajzës që poshtë dritares.
Melodia e këtyre këngëve është monodike (një zë) ose dy, dhe në disa raste merr formë korale (deri katër zëra). Kemi këtu shembullin e korit “Lira”.
Tematika e tyre është e larmishme. Në përshtatje me periudhat kur është lëvruar, ka dhe tematika sociale (këngët “Dua mëngjeset e Majit”, “S’kam ç’e dua pasurinë” apo këngët humoristike që godisnin veset apo fenomene të papërshtatëshme për kohën, etj.)
Tekstet e këngëve të serenatës i kanë shkruar kryesisht krijuesit e melodive (për të përmendur vetëm disa prej tyre, sepse janë të shumtë) si: Petro Dula, motrat Olga dhe Dhimitra Maliqari, Vasilika Bimbli, Ligoraq Qano, Petrika dhe Naum Tërova etj. Tekste serenatash kanë shkruar edhe poetë apo intelektualë të kohës si: Asdreni, Kristaq Cepa, etj.
Edhe muzika ka profesionistët e vet që e kompozuan si: Thoma Nasi, Kristo Kono e më vonë Abaz Hajro, Mihallaq Andrea, etj.
Serenatën e kanë kënduar kryesisht djemtë (burrat). Përmendim ketu grupet e ndryshme si: Qirinxhinjtë, Zabunët, Bimbllarët, Peleshët e plot grupe të tjera.
Por kemi edhe shembuj të praktikimit nga femrat (motrat Olga dhe Dhimitra Maliqari, Spanja Pipa, etj.)
Këngët e serenatës shoqërohen nga një formacion orkestral, kryesisht i përbërë nga instrumenta me tela (kitara, mandolina), por edhe instrumenta të tjera si: flauti, violina, fizarmonika, etj.
Në ditët e sotme Serenata Korçare ka evoluar në përputhje me kërkesat e kohës.
Tani ajo është ngritur në stadin e muzikës që interpretohet në skenë dhe ambiente të tjera dhe si rezultat i kësaj, edhe mënyra e trajtimit vokal dhe instrumental është pasuruar.
Këngët janë të pranishme në gëzimet dhe festimet familiare dhe shoqërore dhe praktikohen kudo, në skena, lokale dhe ambiente të tjera argëtuese. Serenata Korçare sot është një vlerë e pazëvendësueshme e Korçës, në “simbiozë” me emrin e saj.