1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Pukë
  4. Tharja e mishit...
Tharja e mishit dhe karagjaku
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Pukë
  4. Tharja e mishit...
Tharja e mishit dhe karagjaku

Tharja dhe përpunimi i produkteve blegtorale është traditë e lashtë shqiptare. Të gjitha pjesët mund të thahen në mënyra të ndryshme, por secila kafshë ka një specifikë të veçantë për tharjen.

Tharja e mishit të derrit

Mishin e derrit e ndajmë në copa të mëdha të cilat i presim lehtë në sipërfaqe me majën e thikës, vertikalisht dhe horizontalisht. Këto vizatje formojnë kanale të ngushta, me qëllim që të fusim kripën brenda tyre, për të bërë një tharje më të mirë e më në brendësi. Kripën e përziejmë me hudhra të grira dhe me piper të zi.

Pasi përfundojmë këtë faze, të gjitha pjesët e mishit i vendosim në një sendek (arkë druri) për 6 ditë dhe sipër i vendosim një peshë. Kjo bën që të kullojnë sa më shumë lëngje.

Pas 6 ditësh të gjithë mishin e vendosim në dhomën e tharjes dhe e varim në trina. Në këtë gjëndje e lëmë për 25 ditë. Gjatë kësaj kohe dhomën e ngrohim me një sobë me dru, por pa tym. Tharja bëhët me nxehtësi e jo me tym.

Pas kësaj mishi është gati për gatim. Mishin e ruajmë në arka të vogla druri në ambjente të freskëta dhe pa lagështirë. Gjatë verës mishi ruhet në frigorifer.

I gjithë ky proces bëhet nga muaji nëntor e deri në muajin prill, pasi moti i kësaj periudhë është i ftohtë dhe janë kushtet e duhura për të kryer këtë proçes.

Karragjaku

Karragjaku bëhet me copa mishi të kuq derri. Mishi grihet me dorë, në copa të vogla dhe përziehet me erëza duke shtuar edhe specin djegës të grirë imët sipas dëshirës. Pasi përgatitet kjo mbushje, mishi futet me një makinë të posaçme në zorrët e derrit, të cilat janë pastruar më parë dhe përgatitur, duke i mbushur ato. Më tej produktin e përftuar e futim në dhomën e tharjes dhe e varim në trina. Produktin e lemë kështu për 30 ditë.

Edhe karragjaku, njësoj si mishi, thahet me nxehtësi shumë të lartë e jo me tym. Gjatë 30 ditëve zorrët shpohen vazhdimisht me një kunj të hollë druri, me qëllim kullimin e lëngjeve.

Mishi i viçit Mishi i viçit, ndryshe nga ai i derrit, thahet i prerë në rripa e jo në pllaka të gjera. I gjithë mishi qëndron për 24 ore në kripë të ashpër, duke i vendosur sipër një peshë të madhe për eliminimin e lëngjeve. Më tej, mishin e viçit  e vendosim në dhomën e tharjes për 25 ditë, duke ndjekur të njëjtën mënyrë tharjeje si ajo e mishit të derrit.