Vajtja e nuses në krua
Vajtja e nuses në krua

Vajtja e nuse në krua është ritual që kryhet të hënën pas dasme në të gjitha fshatrat. Burra, gra, djem, vajza, fëmijë rreth orës 10.30-11.00 nisen për në kroin e fshatit. Në ballë prin nusja me dhëndrin. Nusja me kostum lunxhot, dhëndri me fustanellë. Nusja mban në dorë një broke (cini, farfuri) për të mbushur ujë. Dikush mban gotat e verës dhe verë. Një tjetër ka bogacen në një kanistër (bukë dasme, e sjellë nga nusja) mbuluar me bohça (mbulesë me thekë.) Në oborr nis kënga :

Merr qelqet e hajt në krua.

Ref: moj nuse-nuse

bijë,moj bijë e re

Kadale se mos i thiesh

Dhe në i thefsha, haj me det

Mua babai s’më vret

Më ka nuse me kimet.

Pasi afrohen tek kroi kënga vijon:

Lum si ti, o kroi i artë,

Që përmbledh të bukuratë,

Ato qafëfluturatë,

Ato meskëputurate.

Gruaja e shtëpisë, u jep nuses dhe dhëndërit nga një copë bogaçe. E lagin me ujë dhe qëllojnë njëri-tjetrin.

Të gjithë këndojnë: “Jepi, jepi, godite!”

I japin kurajo nuses. Ajo qëllon e para. Pastaj dhëndëri.

 Dëgjohen thirrjet: “Të trashëgohen! Bukë e ëmbël e pandarë!”

Janë ndarë gotat dhe nga një copë bogace. I trokasin dhe urojnë ciftin dhe familjarët.

Përsëri kënga:

Të pëlqeu kroi inë,

Moj  xhiko nuse.

Më pëlqeu, s’më pëlqeu,

Këtu më pru Jano beu.

Këndohen dhe hidhen valle dhe këngë të tjera. Nusja mbush çininë me  ujë dhe kthehen në shtëpi.