Në fund të shek. të 19-të kishte mungesë të instrumenteve dhe i gjithë komunikimi ishte gojor. Kështu ishin baladat, këngët humoristike, dasmat, vajet, etj.
Në këtë mënyrë lindi edhe ky material, i cili është një valle e kënduar në dasma. Vallja e kënduar beraçe ka marrësin, prerësin dhe ison.
Marësi këndon tekstin bazë të këngës dhe prerësi e mbështet. Ky dualitet e ka kulminacionin tek vallja. Vallja përbëhet nga “moderato” dhe e “prerë”, të cilat e bëjnë spektakolare këngën dhe vallen. Populli e ka përdorur dhe interpretuar këtë gjini për të ringjallur elementin e vazhdimësisë. Ky material luhet në kohën 2/4 ose 7/8.
Në aspektin koreografik vallja fillon në mënyrë rrethore. Ajo ka hapa të njëjtë në mënyrë të vazhdueshme ku drejton korifeu, i cili ia merr këngës duke u shoqëruar nga prerësi dhe të tjerët me iso. Lëvizjet ndërthuren shumë bukur me ritmin e thyer të këngës.
“Hajde moj atje ne çezmë e madhe,
Beraçe moj, beraçe moj,
Moj nënë të keqen po na lajnë ca çobanka,
Beraçe moj, beraçe moj,
Po na lajnë ca shajake,
Le ti lajnë, ti zbardhojnë, me sapun le ti fërkojnë,
Prerja – Dhentë muarë pllajënë, lot çupa me djalën-ë,
Dhentë morën fushën e lot djali me çupën.”
Kjo valle e kënduar ze një vend të rëndësishëm në fondin e materialeve folklorike burimore të Qarkut të Korçës.