1. Home
  2. Qarku i Gjirokastrës
  3. Bashkia Dropull
  4. Vallet e Dropullit
Vallet e Dropullit
  1. Home
  2. Qarku i Gjirokastrës
  3. Bashkia Dropull
  4. Vallet e Dropullit
Vallet e Dropullit

Përgjithësisht Vallet Dropullite shoqërohen me këngë homophone (me tekst). Vallja dropullite është forma më e mirë që i lidh njerëzit fizikisht dhe shpirtërisht, prandaj edhe festat janë evenimentet më të mira në jetën e njerëzve sepse përfshijnë traditat dhe gëzimet e jetës së përditshme.

Vallja dyshe, është një valle emocionale që kërcehet në formë rrethore gjë që na shpie në shek V p.e.s. ku sipas Iliadës së Homerit , Korifeu i valles, me 50 vetë nga pas, kërcenin për nder të Dionisit (perëndi e begatisë) rreth bustit imagjinar të tij, duke u lutur për begati e prodhimtari.

Edhe sot kjo valle kërcehet në formë rrethore, afër njëri tjetrit, me duar lidhur gjysëm grusht. Vallja  i afron dhe i miqëson pjesëmarrësit dhe është forma më e mirë për të shfaqur bukurinë trupore dhe shpirtërore. Në krye të renditjes në valle respektohet mosha, ndërsa në festa fetare respektohet hierarkia klerike. Sot kjo traditë nuk respektohet .

Quhet valle dyshe sepse që në lashtësi kërcehej me dy lëvizje, lëvizja e parë: këmba e majtë del një hap para; dhe lëvizja e dytë: këmba e djathtë e  shoqëron këmbën e majtë. Pastaj këmba e djathtë kalon mbrapa dhe e shoqëron këmba e majtë. Zakonisht burrat lëvizjen e dytë, ose këmbën shoqëruese e ngrenë 20cm lart nga toka. Vallja ekzekutohet me masën 2/4 me dy lëvizje, me një notë katërshe dhe dy nota tetëshe. Kjo masë në kohën e lashtë ishte gishti (ritmi) i poezisë greke dhe shoqërohej me këngë, ndërsa sot shoqërohet edhe me saze (orkestër). Vallja e Dropullit lidhet organikisht me melodinë (muzikën) dhe varet nga dinamika e saj, kjo përbën një formë të mjeshtërisë popullore. Melodia e valles dyshe  është e larmishme si nga pikëpamja ritmike ashtu edhe nga pikëpamja e strukturës (tonalo – modale); pa i hyrë shqyrtimit morfologjik të mirëfilltë të valles, sepse është vështirë të karakterizosh me pak fjalë jonet e valleve popullore. Pasi ka valle me dy, me tre, me katër edhe më tepër pjesë melodike të ndryshme që shpesh edhe përsëriten dhe herë herë kanë të njëjtën skenë ritmike ose të njëjtin vrull agogjik me lëvizje të ngadalta, mesatare apo të shpejta, si psh vallja kaçakshe.

Ndërsa vallëzimi është një gjuhë  e veçantë e lëvizjeve plastike të trupit, të gjymtyrëve që nëpërmjet kësaj gjuhe mund të shprehen ndjenjat e mendime dramatike, epike, gazmore, komike etj.  Sipas tipareve të këtyre valleve del në pah origjina e tyre nga vallet e lashta greke Pirrike.

Pas viteve 1850 ku doli në skenë klarineta (sazet) disa valle shoqërohen vetëm me saze duke lënë mënjanë tekstin, duke u dhënë kështu sazeve liri të plotë improvizimi. Vallja dyshe me daljen e sazeve u shndërrua në katër lëvizje duke ardhur në formën siç kërcehet sot. Si valle karakteristike preferohet me shumë nga gratë në dasma, dhe sidomos  nga nusja e cila e kërcen me lëvizje të qeta, trupin drejt dhe krenare pa lëvizje të tepërta, pasi është nën mbikëqyrjen e të gjithë dasmorëve, dhe ka si qëllim të ekspozojë stolitë dhe bukurinë e saj fizike dhe shpirtërore. Kjo valle është e përhapur në të gjithë Ballkanin. Vallja dyshe e nuseve dropullite është një organizim i ri. Ajo lindi pas viteve 1960 me vënien në jetë të festivaleve folklorike pasi më parë nuk kishte ceremoni me shumë nuse. Nga ky organizim i ri mori dhe emërtimin. Vallja është një demostrim i ri që ekspozon stolitë dhe bukuritë fizike me një kërcim elegant të grupit të nuseve. Gjatë valles, nuset e veshura me të bardha si shtojzovalle, me kurora të stolisura si mbretëresha, kërcejnë duke krijuar një atmosferë mahnitëse, ku me shikimin krenar e depërtues, me zjarrin e bukurisë shpirtërore përcjellin energji pozitive.