Vallet kanë qenë dhe janë pjesë e kulturës tradicionale të popullit pukjan. Rrethi i Pukës ka shume valle, por këtu po cilësojmë disa që janë më te hershme.
Vallja e Kabashit
Në këtë valle marrin pjesë 4 burra, të cilët formojnë një rreth të mbyllur. Këta katër valltarë, sipas të dhënave gojore përfaqësojnë vëllezërit e fisit të Kabashit që janë Qafaliajt, Kokajt, Lushajt dhe Hadri. Veprimet e tyre janë lëvizje dinamike të forta e të prera. Vallja ka tre momente kryesore:
Hapja e krahëve anash, rrahja e këmbës përtokë, dhe rrotullimi në rreth, e jo në vend.
Kjo valle shoqërohet vëtëm me lodër (tupan). Kjo valle vazhdon të kërcehet edhe në dasma e koncerte, në festa fetare, e gëzime familjare. Kërcehet kryesisht në fshatrat Kabash, Qerret, Pukë, Rrape.
Valle Vendi.
Kjo valle është e shtrirë në të gjithë rrethin. Kërcehet nga gra dhe burra. Lëvizjet janë të thjeshta. Valltarët kërcejnë lirshëm sipas dëshirës, të veshur me kostumet e zonave të ndryshme. Shoqërimi muzikor ështe i thjeshtë me çifteli, fyell e bilbil.
Vallja e Zogut.
Kjo është një valle shumë e hershme. Ka lindur si rezultat i një gojëdhëne:
Një i moshuar po i binte çiftelisë nën hijen e një pemë. Filloi të imitonte këngën e bilbilit dhe zogjtë filluan të lëviznin nga dega në degë. Kështu i lindi ideja dhe gdhendi dy zogj të bukur në dru e i lidhi të gishti me një pe. Zogjtë fillonin të kërcenin sipas muzikës.
Këtu e ka zanafillën vallja e zogut, e cila kërcehej fillimisht në zonën e Iballës. Kërcehet nga djem e vajza në çift, të cilët imitojnë lëvizjet e zogut, duke kërcyer me një këmbë, të cilën e ndërrojnë sipas muzikës. Në kulmin e muzikës, kur të gjitha instrumentet janë në harmoni, valltarët sillen disa herë në rreth. Në një moment të kësaj valleje, djali ulet në njërin gju, dhe vajza sillet rreth tij duke kërcyer.
Vallja e Besës.
Është valle epike burrash. Lëvizjet e kësaj valleje janë dinamike, të prera e të forta. Gjatë lëvizjeve valltarët preknin tokën, duke u betuar se ne jemi zotër të kësaj toke. Tjetër lëvizje ishte edhe dhënia e besës, që do ruanin tokën, atdheun e të parëve.