Zahiretë janë produkte të cilat përgatiten nga gratë e shtëpive, për t’i paraprirë me ushqime të shëndetshme dimrit të gjatë që ka zona e Korçës.
Disa nga produktet që bëjnë pjesë tek zahiretë janë:
Petkat,
Dromkat,
Trahana e Ëmbël
Trahana e Thartë
Kryesisht këto produkte konsumohen për mëngjes, por mund të preferohen edhe në darkë.
Përgatitja e Petkave:
Për të përgatitur 1kg petka duhet: 1kg miell, 7 vezë, kripë dhe ujë sa të bëhet një brumë jo shumë i fortë. Përzjehen të gjitha këto produkte njëra me tjetrën në një enë të madhe, derisa formohet brumi. Më pas brumin e ndajmë në copa më të vogla për ti hapur me okllai në palare (jastragaç), në formën e një petë rrumbullake, dhe më pas i shtrojmë në një çarçaf për t’u tharë në diell. Pasi janë tharë i vendosim në një qese prej bezeje në mënyrë që të qendrojnë të thata gjatë gjithë dimrit. Gatimi i tyre bëhet duke zierë ujë, ku më pas hedhim sasinë e petkave, në raport me personat që do ta konsumojnë. Pasi ziejnë rreth 10 minuta, hiqen nga zjarri, dhe u hidhet sipër gjalpë të skuqur më parë.
Përgatitja e Dromkave:
Për përgatitjen e dromkave, brumi zihet njësoj si ai i petkave, por duhet të jetë më i fortë (me më pak ujë sesa brumi i petkave). Brumin e përftuar e ndajmë me dorë në copa të vogla dhe e vendosim në një çarçaf për t’u tharë. Pasi ka filluar të ngurtësohet brumi fillojmë ta fërkojmë me dorë që të thërmohet dhe më pas e hedhim në një sitë metalike, që ta nxjerrim me një madhësi të njëjtë. Gatuhet njësoj si petkat, ose mund të bëhet supë dhe tavë.
Përgatitja e trahanasë së ëmbël:
Për të përgatitur Trahananë e ëmbël duhet grurë, i cili duhet të pastrohet nga papastërtitë, e më pas të lahet dhe të bluhet në mulli. Pasi është bluajtur gruri (jo tërësisht), në një enë të madhe do të hedhim grurin e bluajtur me 1 lugë gjelle kripë dhe e përziejmë me qumësht, më pas e hedhim në një shoshë (sitë prej rrjete të imët) dhe e fërkojmë me dorë mbi një çarçaf të shtruar në diell, në mënyrë që ajo të thahet. Gatimi i këtij produkti bëhet duke u zier me ujë dhe kripë dhe pasi ka zier i hidhet qumësht.
Përgatitja e trahanasë të thartë:
Për të përgatitur Trahananë e thartë duhet miell, speca të grirë, qepë dhe domate të zjera së bashku, të cilat përziehen me miellin dhe lihen në një kovë të madhe me kapak për t’u thartuar për 7 ditë. Pasi thartohet, e hapim në formën e petës jo shumë të trashë që të thahet plotësisht dhe më pas e thërmojmë me dorë dhe me sitë metalike deri sa të dalë një pluhur i imët. Për të gatuar trahananë e thartë duhet të grijmë nje qepë të vogël të cilën e kaurdisim (e skuqim me vaj) deri sa të zbutet qepa, më pas hedhim trahananë, e bashkojmë me qepën e skuqur dhe i përziejmë për 2-3 minuta. Më pas i hedhim ujë të ftohtë duke e përzierë vazhdimisht me një lugë prej druri, që të mos bëhet kokërr por të mbetet një qull i lëngshëm. Në fund skuqim gjalpin dhe ia hedhim sipër.
Të gjitha këto produkte duhet të mbahen në qese prej bezeje, në një vend të thatë, në mënyrë që të mos marrin lagështi dhe të ruajnë sa me gjatë vlerat ushqimore.