1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Pogradec
  4. Zanati i furrxhiut
Zanati i furrxhiut
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Pogradec
  4. Zanati i furrxhiut
Zanati i furrxhiut

Furra me dru është furra tradicionale, në të cilën janë pjekur dhe piqen bukë, meshë, tava të gatimeve të ndryshme, si: lakror, pastiçe, tavë me piperka të mbushura, mish, peshk, ëmbëlsira të ndryshme, etj. 

Proçesi i pjekjes është i përditshëm, sepse buka është një prodhim me konsum të përditshëm. Ndërsa pjekja e gatimeve të tjera është më e rrallë, kryesisht në raste festash si: Krishtlindje, Viti i Ri, etj. Tavat me gatime dhe ëmbëlsira të ndryshme në ditë të zakonshme varen nga dëshira e vetë banorëve për të bërë këto gatime dhe për ti sjellë për pjekje në furrë.

Procesi i pjekjes kalon në këto faza: Zjarri ndizet nga furrëpjekësi rreth 2 (dy) orë para pjekjes, në mënyrë që muret e furrës të ngrohen. Materialet për djegie janë zakonisht trarë të shtëpive të vjetra për shkak të kostos më të ulët, në mungesë të tyre janë dru të reja dhe tallash. Ky i fundit përdoret më pas, pasi kërkon një person, i cili duhet të merret vetëm me djegien e tij për ta mbajtur nën kontroll.

Lënda e drurit futet në dhomën e zjarrit dhe i vihet flaka. Në bazë të përvojës së tij, furrtari e dallon momentin kur arrihet temperatura e duhur dhe di se çfarë sasie drush duhet përdorur. Pasi nxehet furra, vendosen gatimet e ndryshme si: bukë, meshë, tavat e ndryshme, etj.

Gatimet të cilat kanë aroma më të rënda, si mishi apo peshku, futen më vete në furrë, jo me bukët apo tavat e tjera. Kontrolli i temperaturës realizohet nëpërmjet:

– grumbullimit dhe shpërndarjes së prushit në dhomën e djegies,

– hapjes ose mbylljes së dy fishekëve (fishekët janë dy vrima në qendër të dyshemesë së furrës së pjekjes, të cilat kanë kapakët e tyre metalike. Këta kapakë hapen ose mbyllen sipas nxehtësisë që duhet).

Bukët dhe meshët vendosen në tasat e aluminit, të cilët kanë forma dhe madhësi të ndryshme, kurse tavat e gatimeve vendosen direkt siç sillen nga vetë banorët, të përgatitura në tavat e tyre prej alumini, inoksi ose qeramike.

Për shkak se furra është e madhe dhe ka nxehtësi, futja e gatimeve realizohet me anë  të lopatave. Lopatat janë metalike dhe me një bisht të gjatë druri për të arritur pikën më të largët të furrës. Pasi vendosen të gjitha gatimet për pjekje, mbyllet kapaku dhe lihet kështu për aq kohë sa ato kanë nevojë. Afër kohës së pjekjes, hapet kapaku i furrës për të kontrolluar proçesin e pjekjes. Ato që janë pjekur më shumë vendosen në anët e furrës, kurse ato që kanë nevojë ende për pjekje, vendosen  në qëndër. Kur furra ftohet dhe duhet më shumë nxehtësi hapen kapakët e fishekëve. Kur është shumë e nxehtë, kapakët mbahen të  mbyllur.

Për të kontrolluar procesin e pjekjes, furrëpjekësi përdor një llampë elektrike të pozicionuar në hapjen e furrës.

Muret e furrës së pjekjes janë prej tulle shamot, gjithashtu mbulimi i furrës është i realizuar me kupolë me tulla zjarrduruese. Mbi dhomën e djegies janë dy pllaka me një hapësirë në mes, në të cilën hidhet kripë, për të ruajtur më mirë nxehtësinë. Pllaka e poshtme është me tulla zjarrduruese, kurse pllakat e sipërme janë pllaka guri shtufi. Kohëzgjatja e punës apo funksionimit të furrës është gjatë gjithë ditës. Në mëngjes piqen gatimet, të cilat kërkojnë temperaturë më të lartë, ndërsa më vonë, me uljen e temperaturës, mund të piqen gatime të cilat kërkojnë temperaturë më të ulët, siç janë ëmbëlsirat e ndryshme, bakllava, mafishe, etj.

Pasi përfundon procesi i pjekjes, me anë të lopatave, gatimet vendosen mbi tezgë për t’u ftohur. Enët ku vendosen bukët, afrohen me ndihmën e lopatës dhe më pas kapen me lecka pasi janë shumë të nxehta. Ato përmbysen mbi tezgë, në mënyrë që të dalë buka dhe mblidhen një mbi një. Pasi ftohen pak, bukët vendosen në rradhë në raftet e drurit.

Pas përfundimit të proçesit të pjekjes dhe kur furra ftohet disi, furrëpjekësi e pastron atë me një shkop me shtupë, e cila quhet pepellashkë.