Gdhendja në gur dhe në dru është një mjeshtëri e talent i trashëguar në breza nga mjeshtër të ndryshëm, të cilët kanë lënë gjurmë në zbukurimin e mureve të shtëpive, gurëve të dyerve, dritareve, paisjeve shtëpiake si: govata për larje rrobash, rafte për mbajtjen e rrobave, tabllo të ndryshme, instrumente muzikore, enë kuzhine, etj.
Kemi të bëjmë me një traditë të hershme, ku realizimi i punimeve të shumëllojshme kryhet kryesisht në mënyrë artizanale, pra me dorë me anë të daltës dhe të çekiçit.
Lënda e parë, guri për punimet është i vendit, kryesisht nga rrethinat e Gurit të Zi, ndërsa për punimet e mëdha guri merret nga Berati dhe Skrapari. Përsa i përket punimeve në dru preferohet druri i manit, sepse ka ngjyrë dhe është më rezistent ndaj kohës, por gjithashtu, përdoret edhe druri i arrës, gështenjës, panjës dhe ullirit.
GURGDHENDJA
Për të realizuar një punim në gur ndiqen disa hapa:
Në fillim bëhet përzgjedhja e objektit që do të gdhendet.
Vizatimi në gur i atij objekti.
Me anë të sqeparit ose mjeteve të tjera, hiqen pjesët e mëdha duke i dhënë formën e kërkuar në vija të trasha.
Më pas, me anë të daltës së posaçme dhe çekiçit, mjeshtri fillon ti japë formë objektit.
Format e imta objektit i jepen me daltën e vogël, me daltën me majë, me daltën krëhër. Sa më e hollë puna, aq më e vogël përzgjidhet dalta.
Pas çdo 30 minutash punë bëhet 10 minuta kontroll për të parë defektet.
Në fund të punës mjeshtri përdor frezën e gurit, duke punuar detajet më të imta të objektit dhe duke i dhënë formën përfundimtare objektit.
DRUGDHENDJA
Për realizimin e një punimi në dru ndiqen këto hapa;
Bëhet përzgjedhja e llojit të drurit.
Bëhet përzgjedhja e objektit që do gdhendet.
Bëhet vizatimi paraprakisht në letër i dekoracionit, dhe më pas hedhja në dru.
Me anë të daltës, çekiçit dhe sharrave hiqen pjesët e mëdha.
Pasi hiqen pjesët me daltë, punohet me freza druri dhe lima druri të numrave të ndryshëm.
Më pas mjeshtri punon mbi objektin me letra zmerile që kanë numra të ndyshëm.
Pasi mbarohet puna e gdhendjes, bëhet trajtimi (tonimi me ngjyra druri) dhe me llak.