Në Shkodër dhe më gjerë ka ekzistuar dijebërja e këpucës tradicionale të dekoruar dhe me majë, të quajtur CARUQE.
Proceset e prodhimit të këpucës janë : Marrja e masës së klientit me metër këpucari, zgjedhja e modelit sipas dëshirës (sasia e modeleve e limituar), zgjedhja e lëkurës (me ngjyrë dhe përbërje të përcaktuar), prerja e faqeve në prestari, sipas modelit, vendosja e soletës (tabanit) sipas masës së klientit, montimi i këpucës, zmerilimi, lyerja me zam, ngjitja dhe futja në morsetë, vendosja e astarit të brendshëm me qepje në makinë, pastaj e astarit të faqeve dhe atij të soletës, montimi me thumba dhe zam i shollit dhe pjesës së thembrës (takës së këpucës) dhe presimi. Procesi i fundit është futja dhe lënia në kallëp për jo më pak se 24 orë .
Realizimi i këpucëve të reja kërkon mjeshtëri të lartë, ndërsa riparimet janë më të thjeshta. Riparimet përfshijnë proceset si: hapja në kallëp e këpucës, qepja, ngjitja me zam, pullosja. Prestari është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Xhevdet Ceni është ndër prestarët e fundit në qytetin e Shkodrës.