1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Pogradec
  4. Zanati i kovaçit
Zanati i kovaçit
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Pogradec
  4. Zanati i kovaçit
Zanati i kovaçit

Përpunimi i hekurit është një nga zanatet që kryesisht në qarkun e Korçës është ushtruar nga komuniteti egjiptian por jo vetëm. Kovaçët edhe sot janë të shtrirë në të gjithë qarkun pasi prodhojnë kryesisht vegla bujqësore, sëpata, patkonj, sqeparë, këmborë etj , të cilat përdoren në punën e përditëshme të komuniteteve në fshat. Ky zanat është i trasheguar ndër breza dhe ka arritur deri në ditët e sotme. Zanati trashëgohet kryesisht brenda familjes, nga babai tek i biri e me radhë.

Përgatitja (kalitja) e një objekti në kovaçanë (sqepar).

Si fillim është marrë hekuri i posaçëm për objektin që do të prodhohet. Ky material vendoset në farkë (furrë) nga ku ka lindur dhe emri farkëtar. Më pas me anën e kacekut me ajër (i cili në ditët e sotme është zëvendësuar me ventilator) ndizet zjarri me qymyr druri dhe mes prusht që krijohet futet materiali, i cili duhet skuqet deri sa të marrë temperaturën e duhur për t’u punuar. Materiali kapet me mashë dhe vendoset në kurdë (kudhër), ku rrihet me çekan deri sa të marrë formën që duam. Pasi ka marrë formë, elementi kalon në morsë. Gjatë këtij procesi elementi kontrollohet me imtësi në të gjitha drejtimet që të ketë mprehtësinë dhe formën e duhur. Etapa tjetër është ajo e kalimit në gur zmeril ku bëhet procesi i mprehjes. Pasi ka përfunduar ky proces elementi vendoset përsëri në kurdë ku me një çekan dhe daltë i hapen disa vrima, të cilat shërbejnë që elementi të mos shkasë. Në fund ky produkt futet në ujë që të temperohet në mënyrë të tillë që të mos thyhet. Temperatura e ujit duhet të jetë gjithmonë e përshtatshme, sipas llojit të materialit.

Para viteve ‘90 interesi për këtë zanat ka qënë më i madh, kurse vitet e fundit është zbehur mbasi pasi shpesh këto produkte punohen  me makineri apo eksportohen. Dikur në Korçë ka patur 40 kovaçana, kurse sot janë vetëm 2 ose 3. Kovaçana ka qenë baza e bujqësisë. Të gjithë kovaçanat kanë qënë të vendosura ne Pazari i Vjetër dhe kjo quhej Rruga e Koveçërve.