Zanati i kovaçit
Zanati i kovaçit

Zbulimi dhe mjeshtëria e përpunimit të hekurit dhe e metaleve të tjera, kanë një histori të gjatë mijëvjeçare ku në mënyrë empirike u trashëgua nga brezi në brez. Ky kalim përvoje është shumë i ndërlikuar, jepen e merren shprehi, njohuri, mjeshtëri teorike e praktike të rrafsheve të ndryshme të jetës njerëzore. Pra mjedisi natyror, shoqëror, gjeografik e të tjera ndikon në formimin e njeriut. Por edhe njeriu si qenie aktive kundërvepron mbi mjedisin dhe emancipohet prej tij me realitetin, me jetën e përditshme dhe gjithë ky bagazh që fiton vë vulën në personalitettn e tij. Kështu lindën mjeshtërit e mëdhenj dhe mjeshtëria.

Përpunimi i hekurit si zanat ka shumë të fshehta që çdo zanatçi duhet ti njohë. Çdo metal ka vetitë e tij mekanike – specifike që duhet ti njohë ustai. P.sh. hekuri skuqet dhe punohet kur arrin në një  temperaturë të caktuar që të farkëtohet më lehtë e më saktë.

Proces tjetër i metalit është ngjyrosja apo dhënia e ujit, që metali të bëhet sa më i fortë. Në gjuhën profesionale ngjyrosja quhet temperimi i duhur i metalit, kjo është edhe baza e zanatit që kërkon përvojë shumëvjeçare. Ustai i mirë duhet të njohë dhe të punojë çdo lloj metali sipas specifikës së tyre. Kovaçi i mirë dallohet edhe nga shumëllojshmëria, cilësia dhe saktësia në peshë e në formë, të veglave që prodhon.

Dropulli është i përmendur për gurin dhe shumëllojshmërinë e tij me cilësi të mirë. Gdhendja e këtij guri kërkon vegla (p.sh. dalta, çekane të ndryshëm, zmilare, etj.) të cilësisë e të mjeshtërisë së lartë. Këto vegla tashmë i bën vetëm kovaçi.

Ustai i mirë mburret para klientit jo me fjalë por me provë. P.sh pasi mbaron një vegël, kazmë, sëpatë, sqepar etj, merr një gozhdë dhe e pret. Po që se gozhda pritet pa lënë shenjë në metalin e veglës, ai konsiderohet mjeshtër. Pra zanati i kovaçit është i vështirë , nga cilësia e punës dhe e mallit varet edhe vlera e tij. Populli thotë: “Eeee, sa ka zanati!”

Kovaçi e ka pasur dhe e ka zakon që uron klientin me fjalët: Punë të mbarë e krahë të forta!

(Në materialin video Jani Theofan Mici, Vrisera bashkia Dropull)