Zejtaria e përgatitjes së samarit të kafshëve është e trashëguar në breza. Kafshët për një periudhë të gjatë kanë qënë mundësia e vetme për realizimin e transportit në qytetin malor të Gjirokastrës. Kjo nxiti dikur ngritjen e disa dyqaneve ku zejtarët realizonin samarët e kafshëve. Sot kjo lloj zejtari është tkurur për shkak të përdorimit më të vogël të kafshëve të punës.
Samari përbëhet nga dy elementë, shtrati i drurit dhe dysheku. Për shtratin e drurit përdoret druri i vidhit, manit, frashërit ose i çerçemit. Dikur kthimi i lëndës drusore në ristela realizohej përmes çarjes së tij me cfina të ndryshme dhe pastaj përgatitej me sqepar. Tek shtrati i drurit të samarit bie në sy harkimi i një pjese të ristelave që e përbëjnë atë. Kjo bëhet në mënyrë që ajo ti përshtatet sa më mirë shpinës së kafshëve. Dysheku vetë përbëhet nga katër element; 1. Këllëfi prej beze për formimin e dyshekut të samarit; 2. Kashta që mbush dyshekun e samarit; 3. Batania, e cila e bën më kompakte dyshekun. Ajo vendoset kryesisht në pjesën e poshtme të dyshekut jo vetëm që kontakti i samarit me shpinën e kafshës të jetë sa më i butë, por edhe për thithjen e djersës nga shpina e kafshës gjatë punës. 4. Lëkura ose copa e gomuar vendoset në pjesën e sipërme të dyshekut për ta ruajtur atë nga depërtimi i lagështisë dhe për ta bërë atë sa më rezistent.
Rruga e ndjekur për realizimin e një samari nis me ngritjen e skeletit të drurit. Harkimi i ristelave të drurit që përdoren për ndërtimin e skeletit të samarit, realizohet përmes ngrohjes së tyre në zjarr. Në mënyrë që ristelat të mos çahen por të përkulen lehtësisht, ato spërkaten herë pas here me ujë.
Pikërisht në varësi të përmasave të skeletit të drunjtë realizohet edhe dysheku, i cili i bashkangjitet atij. Pas mbushjes me kashtë të këllëfit të dyshekut, kashta ngjishet dhe më pas qepet në mënyrë që të realizohet lidhja e kashtës me astarin e dyshekut.
Dysheku i bërë tashmë gati futet në zgavrën e drunjtë të samarit duke u shtyrë me metrin e samarxhiut, në mënyrë që të marrë formën më të mirë të mundshme. Që kashta të ruajë formën e samarit ajo bashkohet duke u qepur me fije peri të trashë dhe të dyllosur që ti rezistojë lagështisë e të mos kalbet. Jo rrallë dërrasa ballore e samarit e cila ri vertikalisht mbi shpinën e kafshës shpesh dekorohet me figura të ndryshme. Më e preferuara është figura e shqiponjës. Realizimi i një samari kërkon dy ditë punë.
(Në materialin video Vehip Gagani, Gjirokastër)