1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Pogradec
  4. Zanati i samarxhiut...
Zanati i samarxhiut dhe nallbanit
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Pogradec
  4. Zanati i samarxhiut...
Zanati i samarxhiut dhe nallbanit

Profesioni (zanati) i samarxhiut,  trashëgohet përgjithësisht brenda familjes dhe gjen një shtrirje të gjerë në Qarkun e Korçës pasi kafshët e ngarkesës zënë një vend të rëndësishëm në punët e bujqësisë.

Një samarxhi kryesisht realizon : samarin, palldëmin, qengëlan dhe kapistallin.

Realizimi i samarit:

Samari përbëhet nga dy pjesë që samarxhinjtë i quajnë ‘’kaptellë’’. Për të realizuar atë që quhet  kaptelli i parë, përdoret një  kallëp prej kartoni. Ai vihet mbi dërrasën dhe vizatohet me laps. Kjo dërrasë është prej druri ahu, plepi, shelgu apo vidhi. Më tepër preferohet ahu. Dërrasa pritet me sharrë sipas formës.

Më pas, shpohet sipas gjerësisë së kafshës dhe hapen 6 vrima në secilën anë, pra gjithsej 12 vrima në një kaptell. Shpimi bëhet fillimisht me trapan dhe dërrasa mbahet në një kënd të caktuar gjatë shpimit. Më pas ato hapen me gletë, e cila goditet me tokmak. Gleta është një daltë plloçake, kurse tokmaku një çekan druri.

Pasi realizohet kaptelli i parë, fillon puna për realizim e kaptellit të dytë. Edhe ky përgatitet pasi shënohet me kallëpin e vet. Edhe ky kaptell bëhet sipas përmasave të hajvanit (kafshës). Po përmes kallëpit realizohen edhe kocaqet.  Pasi shpohen, ato lidhen  me njëra-tjetrën duke formuar atë që samarxhinjtë e quajnë kaptell i dytë. Më pas fillon ngritja e samarit. Lidhja e kaptelleve realizohet me anë të dhogave. Harkimi i  dhogave bëhet me kallëp. Pasi është shpuar kaptelli i parë dhe ai i pasëm, merren dhogat dhe  vendosen fillimisht tek kaptelli i parë. Masa merret me anë të një mjeti prej druri, që samarxhinjtë e quajnë kut. Kuti është njësi matëse, që përdorin samarxhinjtë. Dhogat sharrohen në varësi të masës.Vihen 6 dhoga, 3 në çdo anë. Kaptelli i dytë përforcohet edhe me një shufër metalike, të cilës i jepet një formë e harkuar në kudhër. Kjo vendoset për ta bërë më rezistent samarin. Pasi është realizuar struktura prej druri e samarit, përgatitet stela.

Realizimi i stelës:

Stela përgatitet prej meshini apo copash të tjera si: kuverta, fletë çadre etj. Masa e saj merret përsëri me kut. Shënohet dhe pritet me gërshërë.Ajo qepet me spango dhe samarxhiu përdor dorezën e tij, për të mos shpuar dorën gjatë qepjes. Ajo mbushet brenda me kashtë thekre dhe qepet. Përsipër i vihet një copë meshini (lëkurë),e cila qepet në të. Pas përfundimit stela vihet tek struktura e drurit dhe fiksohet me anë të qirinjve (qepje me fill për ta kapur pas strukturës së samarit). Kapet në 5-6 vende.

Realizimi i palldëmit:

Palldëmi realizohet me lëkurë të trashë prej kau ose lope dhe bëhet në varësi të përmasave që i ka marrë më parë me ndihmën e kutit.

Për të realizuar palldëmin priten dy copë lëkurë, të cilat ngjiten me njëra-tjetrën me mastiço. Realizohet me ngjitje dhe thurrje. Palldëmi vendoset në pjesën e pasme të samarit.

Realizimi i qengëlës :

Formohet me lëkurë të trashë, me ngjitje me mastiço. Eshtë një si tip rripi, i cili i vihet kafshës tek pjesa e barkut për të mbajtur samarin.

Realizimi i kapistallit :

Kapistalli bëhet zakonisht prej meshini dhe vendoset tek fytyra e kafshës. Tek pjesa e hundëzës, lëkura kruhet pak për t’i dhënë formë.

Një samar kërkon 5 vjet që të mund të riparohet apo të bëhet nga e para, ndaj dhe frekuenca e punës është në varësi të kërkesave.