Procedura e aplikimit për Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.


Çfarë lloj elementesh mund të emërtohen për tu bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore jomateriale?

Regjistri TKJ, përfshin kategoritë e mëposhtme: Artet e shfaqes, muzika dhe vallja Artizanati tradicional, Dije dhe praktika të lidhura me natyrën, Gatime tradicionale, Gjuha, traditat dhe shprehjet e folura, Praktika shoqërore, rituale dhe festa.

Ushtrimi, praktikimi dhe transmetimi i vlerave të trashegimise nga njerëzit tek njerëzit duhet të jenë në qendër të propozimeve. Inventarizimi do të marrë parasysh ato forma të TKJ që praktikohen sot në Shqipëri, pavarësisht nëse origjina e tyre është shqiptare apo nëse praktikohen edhe në vende të tjera. Vetëm TKJ që përputhet me të drejtat e njeriut dhe ligjin shqiptar dhe që mbështet respektin reciprok dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve mund të përfshihet në këtë regjistër. .

Traditat fetare mund të përfshihen në Regjistrin Kombëtar vetëm nëse zakonet që lidhen me to janë të rrënjosura thellë në shoqëri (siç janë ngjarjet festive, marshimet dhe procesionet me origjinë fetare). Këto tradita duhet të jenë gjithashtu të hapura për pjesëmarrjen e njerëzve që nuk janë anëtarë të këtyre komuniteteve fetare.

Shprehjet gojore janë pjesë e TKJ. Megjithatë, gjuhët dhe dialektet si të tilla nuk janë ndër elementët që inventarizohen në bazë të Konventës së UNESCO-s, por ato mund të përfshihen në Regjistër në formën e traditës gojore (p.sh. fjalët e urta dialektore, gojëdhënat, legjendat, gjë e gjëzat).

Kush mund të aplikojë, si dhe kur?

Komunitete të ndryshme (p.sh. praktikues dhe bartës, organizata, shoqata ose një grup individësh) mund të propozojnë elemente për Regjistrin Kombëtar. Këta “aktorë” duhet të marrin pjesë në ruajtjen e TKJ, duke promovuar kështu praktikën dhe transmetimin e traditës. Organizatat e drejtuara qartë nga interesat komerciale apo organizatat politike nuk mund të bëjnë propozime.

Në praktikë, aplikimi për Regjistrin Kombëtar  duhet të bëhet online, duke përdorur formularin që mund të gjendet edhe në këtë platformë. Aplikimet e paraqitura në një format tjetër nuk do të pranohen. Asnjë bashkëlidhje nuk do të dërgohet ose ruhet përveç formularit dhe materialit fotografik ose video.

Si do të vlerësohen aplikimet?

Ministria e Kulturës do të kontrollojë aplikimet e bëra për Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale për t’u siguruar që ato përmbushin kriteret teknike (p.sh. kohëzgjatja e aplikimit, përfshirja në regjistër ose përshtatshmëria e aplikantit).

Më tej aplikimet do të shfaqen online në këtë platformë dhe mund të pasohen me komente nga ekspertët dhe komunitetet pjesëmarrëse në vlerësim. Komentet do të postohen duke përdorur emrat dhe organizatat përkatëse. Ministria e Kulturës, do të përmbledhë pikëpamjet në komentet e marra dhe do të prezantojë aplikimiet, komentet mbi to, si dhe pikëpamjet e saj në lidhje me pranimin e një aplikimi në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale (KKTKJ).

KKTKJ do të marrë vendimin për elementët që propozohen në se ata do të bëhen pjesë e Regjistrit Kombëtar. Vetëm aplikimet e pranuara do të bëhen publike. Nëse kërkohet, Ministria e Kulturës, do t’u japë përgjigje aplikantëve, propozimet e të cilëve nuk do u pranohen.