Regjistri Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale


Shqipëria, ka ditur të ruajë e të përcjellë nga brezi në brez pasuritë e saj kulturore duke i ruajtur ato në dinamikën e zhvillimeve shoqërore. Një rol thelbësor në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës sonë shpirtërore – artizanatit, këngëve, valleve, melodive, legjendave, lojërave popullore, gatimeve tradicionale, ritualeve dhe traditave – kanë gjyshërit, prindërit, të rinjtë, fëmijët që përcjellin dhe bartin kulturën, gjuhën dhe zakonet shqiptare. Njerëzit janë krijuesit, ruajtësit dhe rikrijuesit e trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe si rjedhojë dhe autorët e këtij Regjistri.    

Regjistri i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, u krijua në zbatim të Konventës për shpëtimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, Paris 2003, si dhe legjislacionit vendas në fushën e trashëgimisë kulturore. Ai u realizua me mbështetjen e Fondit Ndërkombëtar të UNESCO-s dhe Ministrisë së Kulturës.  

Ky regjistër përmban më shumë se 90 elemente nga tre qarqe të vendit, Shkodër, Gjirokastër, Korçë. Dukuritë e përfshira u përzgjodhën dhe u dokumentuan nga përfaqësues të komunitetit me mbështetjen e institucioneve kulturore. Regjistri organizohet në gjashtë kategori kryesore: artizanati tradicional, gjuha si bartëse e traditave dhe shprehjet e folura, artet e shfaqjes-muzika dhe vallja, gatime tradicionale, praktika shoqerorore-rituale dhe festa, dije dhe praktika te lidhura me natyren.  

Regjistri administrohet e mirëmbahet nga Ministria e Kulturës dhe pasurohet nga individë apo organizata, pjesëtarë të komuniteteve të interesuar për vënien në pah të trashëgimisë jomateriale.

Kjo platformë në “open-data” është njëherazi një ftesë e hapur për çdo kend që dëshiron të kontribuojë në pasurimin e elementëve të regjistruar tashmë ose në shtimin e elementëve të rinj.

Bashkohuni me ne për ta evidentuar dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore jomateriale duke shtuar elementë të rinj në këtë Regjistër.